Qeveria shqiptare ka miratuar projektvendimin që përmirëson në mënyrë të ndjeshme trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura.
Lajmin e dha sot ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili u shpreh se nga ky projektvendim preken rreth 6 mijë efektivë, 2500 prej të cilëve e përfitojnë për herë të parë një shtesë të tillë.
Vengu theksoi se, ky vendim konfirmon se kapitali njerëzor mbetet prioritet kryesor për ushtarakë të mirëpaguar, të mirëpajisur dhe të mirëtrajnuar, ndërsa rrit ndjeshëm jo vetëm cilësinë e kapitalit por edhe të shërbimeve të mbrojtjes civile.
“Objektivi i Ministrisë së Mbrojtjes është që rekrutët e rinj e veçanërisht profesionistët e fushave të ndryshme të jenë konkurrues në tregun e sotëm”, shtoi Vengu.
Ai theksoi se, nga ky projektvendim preken rreth 6 mijë efektivë, 2500 prej të cilëve e përfitojnë për herë të parë një shtesë të tillë. Kështu, trajtim të shtuar financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si; Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, Njësia Cyber, Dronët, Forcat e Dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.
“Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi do të variojë deri në 100,000 lekë mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë”, theksoi Vengu.
Ministri shtoi se, për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20,000 lekë në muaj për rreth 150 ushtarakë.
“Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70,000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë”, nënvizoi Vengu.
“Një falënderim i veçantë për të gjithë skuadrën e përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave, që ka punuar prej disa muajsh që ky vendim të marrë jetë sot, duke dëshmuar më së miri se, kur vjen puna për kapacitete kombëtare, siç janë FARSH, rritja e trajtimit financiar nuk është një shpenzim, por një investim i mirëfilltë”, theksoi Vengu.