Muaji korrik ka qenë më i nxehti i të gjitha kohërave që prej fundit të shekullit XIX, kur daton matja e rregullt e temperaturave mbi sipërfaqen e tokës.
National Atmospheric and Oceanic Administration (NOAA) botoi të enjten në 15 gusht raportin e saj të përhershëm, nga i cili rezulton se korriku ka qenë me 0,95 gradë celsius më i lartë se mesatarja e temperaturave të shekullit XX për këtë muaj. Ai ka qenë gjithashtu 1,2 gradë më i lartë se mesatarja e periudhës para industriale për këtë muaj.
Sipas statistikave ky është i njëzetetreti korrik me radhë që është më i nxehtë se paraardhësi, gjë që vjen nga çlirimi njerëzor i gazrave me efekt serë. “Pjesa më e madhe e planetit arriti maja nxehtësie të pa njohura më parë përgjatë këtij muaji që shënoi temperatura rekord të panjohura” theksoi në raportin e saj agjencia federale amerikane.
Këto të dhëna konfirmojnë edhe ato të nxjerra në fillim të gushtit nga agjencia europiane e vëzhgimit satelitor Copernicus.
Sipas NOAA edhe në Europë termometri shënoi rekorde. Kështu në 25 korrik në Francë u shënua 42.6, në Gjermani 42.5 ndërsa për herë të parë në histori Holanda e kaloi tavanin e 40 gradëve. Por mbi të gjitha korriku pa qenë i panjohur më parë në Alaska dhe në Afrikë ku rekordi i 2016 u thye me plia 1,65 gradë.
Pasojat e kësaj nxehtësie përmblidhen në thatësira të mëdha që shkaktojnë zjarre të fuqishme si ato të Greqisë apo të veriut të madh rus dhe gjithashtu në shkrirjen e akullnajave. Këtë korrik sipërfaqja e akujve në Antarktidë, 15,2 milionë km u reduktua me 4% në raport me mesataren e viteve 1981 2010. Në total sasia e sipërfaqeve të akullta të detin nuk ka qenë kurrë me e ulët se gjatë muajit që shkoi, duke zbritur me 10% më pak sesa mesatarja. Dhe pa këtë ekuilibër temperaturash që vjen nga polet, planeti do të jetë edhe më i nxehtë. Muaj pas muaji dhe rekord pa rekordi duket se objektivi për ta mbajtur mesataren e temperaturave poshtë nivelit të më shumë se 1.5 gradëve në krahasim me periudhën para industriale, po bëhet gjithnjë e më i pa mundur.