Ndeshja Shqipëri-Francë që u mbajt në “Air Albania Stadium”, takimi përurues i stadiumit, ka rezultuar me një gjobë të majme për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, UEFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit me 23.250 euro. Në vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, sqarohet se me 3250 euro është ndëshkuar hedhja e objekteve në fushën e lojës, ndërsa me 5 mijë euro vërshëllimi i publikut ndaj himnit francez.
Pjesa më e madhe e gjobës, plot 15 mijë euro, kanë ardhur si pasojë e mbylljes së daljeve të “Air Albania Stadium”. FSHF ka 90 ditë kohë për të derdhur në bankë gjobën e marrë.
Vërshëllimi i himnit francez erdhi si hakmarrje për atë që ndodhi më 7 shtator në “Stade de France” të Parisit, ku himni shqiptar u ngatërrua me atë të Andorrës. Për këtë, UEFA dënoi Federatën Franceze të Futbollit me 20 mijë euro gjobë.
