Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot rezultatet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Në një lidhje skype për emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’, Lubonja tha se rezultati i zgjedhjeve në Prishtinë për Vetëvendosjen e Kurtit, ku Arben Vitia nga LVV mori 48,93 % ose 38.958 vota, nuk e sheh kaq dramatike.
Sipas Lubonjës, ky rezultat është arritur vetëm nga një parti. Mes të tjerash analisti tha se Kurti ka qenë i vetmi lider që ka deklaruar pas fitores se do të çmontojë shtetin e kapur.
“Nuk më duket se është kaq dramatike. Dua të kërkoj ndjesë se nuk jam aty për një analizë të qartë. Nëse shoh një rezultat në Prishtinë 51 me 49, dhe 49 merr një partie vetme, kjo nuk është rezultat i keq. Kjo është parti e parë. Pushtetet lokale janë më të konsoliduara. Sa kemi të bëjmë me atë që vertetë Kurti s’ka ditur që të qeverisi, sa ka dështuar në premtimin e tij kryesor, për të çmontuar shtetin e kapur dhe sa shteti i kapur është bashkuar për të luftuar Kurtin si rrezik?! Këto të treja s’di t’i mas. Të dalësh kundër një sistemi, nuk është kollaj që ta çmontosh. E vetmja parti që premtoi se mund ta çmontonte, ishte Vetëvendosja. Ky është një shtet për të kapur ekonominë. Ekonomia lokale është e rëndësishme. Ai tha pas fitores që do të çmontojmë shtetin, po sa e ka bërë?!”, tha ai.