“Vetëvrasja” e mikut të Trump e Clinton, prokuroria e SHBA: Parregullsi në burg

BOTA


Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullsi serioze” në burgun federal ku biznesmeni, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje gjatë fundjavës.

Barr ka thënë të hënën se ai është zemëruar kur ka kuptuar se punëtorët e Qendrës Korrektuese në Nju Jork, “kanë dështuar që ta mbrojnë të burgosurin”, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur të shtunën, pasi zyrtarët e burgut kanë thënë se ai ka kryer vetëvrasje. Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Barr nuk ka ofruar të dhëna specifike, mirëpo ka thënë se hetimet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe inspektorëve të Departamentit të Drejtësisë janë duke vazhduar.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Nju Orlliens. Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”. REL



Skip to toolbar