Një avion luftarak rus Su-30SM është rrëzua në Detin e Zi. Një kanal në Telegram që përcjell lajme nga Krimeja, shkruan se avioni lëshoi raketa drejt Ukrainës, dhe më pas u zhduk nga radari.
Su-30SM, një avion luftarak me shumë funksione, thuhet se ka gjuajtur katër raketa anti-ajrore Kh-31P në drejtim të Ukrainës kontinentale gjatë misionit të tij.
Avioni u nis nga aeroporti Krymsk në rajonin e Krasnodarit dhe pasi u zhduk afërsisht 70 kilometra në veriperëndim të kepit të Krimesë, flota e Moskës që është stacionuar në Detin e Zi nisi një operacion kërkim-shpëtimi.
Helikopterët nga baza ajrore Kaça u dërguan menjëherë për të gjetur avionin e zhdukur dhe thuhet se identifikuan një njollë nafte rreth 3 kilometra në diametër në Detin e Zi.
Po ashtu u zbuluan mbetje të avionit, përfshirë njërin krah. Megjithatë, meqenëse rikuperimi i rrënojave dështoi, nuk ka ende një konfirmim përfundimtar se çfarë ka ndodhur saktësisht me ekuipazhin e tij.
Nga ana tjetër, ukrainasit pretendojnë se ishin ata që rrëzuan avionin, i cili vlen rreth 50 milionë dollarë. Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR) ka publikuar pamjet që sipas tyre tregojnë momentin e rrëzimit të avionit luftarak rus Su-30SM.
Ukrainasit raportojnë se forcat ruse humbën kontaktet me avionin luftarak më 11 shtator rreth orës 5:00 të mëngjesit dhe rreth tre orë më vonë nisën operacionin e kërkim-shpëtimit, duke ngritur në qiell avionë An-26 dhe helikopterë Mi-8 dhe Ka-27.
Avioni luftarak Su-30SM, i cili është në përdorim nga Forcat Ajrore Ruse që nga viti 2012, konsiderohet si një nga avionët më të avancuar të Rusisë.
Incidenti i fundit është vetëm një në serinë e përplasjeve ajrore të avionëve rusë, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe besueshmërinë e flotës ajrore të vendit. Në fund të gushtit, një helikopter rus Mi-8 me rreth 20 persona në bord u zhduk, ndërsa në fillim të këtij viti, një avion luftarak-bombardues Su-34 u rrëzua në Republikën e Osetisë së Veriut, me ekuipazhin që u shua plotësisht.