Në qytetin e Durrësit vijon puna për shembjen e pallateve, hoteleve dhe banesave që u dëmtuan nga tërmeti si dhe pastrimin e zonës nga inertet. Të hënën në mëngjes, IKMT e nisi punën me shembjen e hotel “Lubjana”, i cili u shkatërrua nga tërmeti i fuqishëm. Në terren ndodhet dhe drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici.
Puna për shembjen e këtij hoteli nisi mbrëmjen e kaluar, por u ndërpre për të rinisur sërish të hënën në mëngjes.
Sipas News 24, përveç IKMT, Bashkia e Durrësit ka zbritur masivisht në terren, duke aktivizuar 10 grupe inspektimi të përbërë nga inxhinierë, inspektorë, arkitektë, që po shohin nga afër të gjitha pallatet, për të bërë vlerësimin e tyre, nëse janë ose jo të banueshëm.
Prishja e ndërtimeve të pabanueshme është një tjetër sfidë për autoritetet, që më pas t`i hapet rruga ndërtimit të objekteteve të tjera ku do të strehohen banorët që më parë jetonin në këto objekte.