Specialistja e ISHP-së Silva Bino, iu drejtohet me një mesazh të gjithë qytetarëve, duke iu kërkuar të tregohen të kujdesshëm, gjatë lehtësimit të masave kundër koronavirusit, pasi virusi vazhdon të jetë mes nesh.
Përmes një video-mesazhi të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Bino thekson se sjellja e përgjegjshme e qytetarëve është shumë e rëndësishme për të kaluar edhe këtë fazë të dytë të koronavirusit me lehtësi, si fazën e parë.
Mesazhi i Silva Binos:
Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, pasi jemi në fazën e hapjes, lëvizjes, dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Virusi nuk është zhdukur, as nga Shqipëria, as nga Evropa dhe as nga bota. Virusi qarkullon dhe për këtë ne duhet të jemi të kujdesshëm. Pavarësisht se dalim, duhet të jemi të përgjegjshëm për sjelljen tonë, pasi sjellja individuale është shumë e rëndësishme në këtë fazë. Faza që kaloi na ndihmoi të zbusnim kurbën e sëmundjes, që të mos kishim një ritëm të lartë të sëmundjes, të përhapjes së sëmundjes, por aktualisht ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe gjithë atë muaj të sakrificës ta kemi në favorin tonë.
Për këtë, janë sjelljet e qytetarëve, që duhet të jenë sa më të përgjegjshmë, pra të mos përqafohen, të mos shtrëngojnë duart, por të ruajnë distancë me njëri-tjetrin, pasi virusi mund të transmetohet gjatë përqafimeve, prekjes së duarve apo objekteve. Ruajtja e distancës, higjiena, mbajtja e maskës në mjedise të grumbulluara, në markete a dyqane që kanë mbi dy veta, do të na ndihmonte të ruanim veten dhe personat e tjerë.