Viti i ri akademik, Veliaj: Gjithçka gati për studentët në konvikte

AKTUALITET


Viti i ri akademik 2021-2022 do ti presë studentët me kushte bashkëkohore dhe me standarde të njëjta me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në Europë.

Godinat e reja të saporikonstruktuara në Qytetin Studenti janë tashmë gati për të rinjtë që do të zgjedhin të akomodohen këtë vit në këto konvikte. Bashkia e Tiranës po iu jep dorën e fundit përgatitjeve edhe të ambienteve të jashtme për ta bërë sa më të këndshëm qëndrimin e studentëve.

“Mirëmëngjes nga Qyteti Studenti! Kolegët po i japin dorën e fundit mirëmbajtjes që gjithçka të jetë gati për të mirëpritur studentët,” shkruan ditën e sotme kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në rrjetet sociale.

Veliaj ka publikuar edhe një video të punës së ekipeve të Bashkisë në terren të cilët kujdesen për detajet e fundit. Një nga administratoret e godinave studentore shprehet se gjithçka është gati për regjistrimin e studentëve.

“Dokumentacioni që kërkohet për tu akomoduar në këto godina është një vërtetim nga Fakulteti ku ndjekin studimet, raporti mjeko-ligjor, 4 fotografi dhe fotokopje e kartës së identitetit,” shprehet ajo. Ndërsa vetë studentët shprehen të kënaqur me kushtet në godinat e reja. “Këtu në godinën 6 kushtet janë shumë të mira për të jetuar dhe të përballueshme nga studentët,” thotë një prej tyre.



Skip to toolbar