Viti i ri shkollor, Veliaj: Kemi bërë revolucion në Tiranë, sot hapëm 400 institucione arsimore për të pritur nxënësit

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak me një falenderim për stafet e 400 institucioneve arsimore në Tiranë, të cilët mirëpritën 350 mijë nxënës të sistemit parauniversitar. Ai tha se Tirana ka bërë një revolucion në shkolla dhe kopshte, si në zona urbane, ashtu edhe në zona rurale.

“Kemi pasur një revolucion në Tiranë, sot kemi hapur 400 institucione arsimore, nga të cilat 187 shkolla, 87 në zona urbane dhe 100 në zona rurale. Po ashtu edhe rreth 102 kopshte dhe çerdhe dhe disa institucione që quhen qendra sociale apo qendra për persona me aftësi ndryshe. Për të gjitha këto 400 institucione, janë 400 skuadra që punojnë përtej bindjeve politike, njerëz që i kanë shërbyer qytetit gjithë jetën e tyre, kështu që u uroj shumë sukses, e sidomos atyre që filluan sot”, tha Veliaj.

Një falenderim pati dhe për anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët tha Veliaj, kanë qenë në gatishmëri që viti i ri shkollor të nisë sa më mbarë, duke u bërë urë komunikimi për zgjidhjen e çdo problematike.

“E çmoj faktin se një pjesë e madhe e anëtarëve të Këshillit Bashkiak kanë qenë sot pranë shkollave. Jeni gjithsesi një urë komunikimi pavarësisht bindjeve politike. Po jeni gjithsesi një urë komunikimi për një nevojë që mund të ketë shkolla, kopshti çerdhja, diçka e infrastrukturës. Po futemi nga stina e vapës te e shirave dhe gjithmonë mund të ketë problematika ku telefoni dhe zhdërvjelltësia e një anëtari të këshillit bashkiak, që është prezent, e bën dhe më të lehtë komunikimin tonë me këto institucione”, shtoi ai.

Një superlajm, Veliaj cilësoi vlerësimin nga Agjencia Europiane e Mjedisit, e cila e renditi Tiranën mes 10 kryeqyteteve Evropiane me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë. Kryebashkiaku tha se ky vlerësim shton motivimin për të rritur më tej gjelbërimin e Tiranës duke përmirësuar jetën e të gjithëve.

“Ndihem i vlerësuar nga nota që na dha Agjencia Europiane e Mjedisit këtë të dielë. Mund të kemi bindje të ndryshme, por pemët u bëjnë hije njësoj të gjithë. Fakti që sot jemi kryeqyteti në 10-shen e parë për mbulesën urbane me pemë, me gjelbërim dhe me hije, thjesht na shton motivimin për më shumë. Momenti më i mirë për të mbjellë pemë ishte dje, momenti i dytë më i mirë është sot dhe i treti më i mirë është nesër. Me këtë vlerësim kemi lënë pas Beogradin e Athinën”, tha ai.

Një përgjigje pati dhe për opozitën, të cilën në vend të sulmeve e ftoi që t’i bashkohet aksionit të mbjelljes së pemëve.

“Është një vlerësim që na e jep BE, jo i bindjeve tona politike, kështu që në këtë sens do të doja që të gjithë bashkë pavarësisht bindjeve politike do i lëmë qytetit dhe fëmijëve të qytetit një pajë të jashtëzakonshme për gjeneratat që do të vijnë. Ato pemë ndoshta, nuk bëjnë hije sot, por nga pak përditë mbas 9 vitesh marrim këtë vlerësim dhe diçka që mbjellim këtë vit do e marrë vlerësimin në një dekadë tjetër”, tha më tej Veliaj.



Skip to toolbar