Vizat H-1B dhe leje pune në SHBA për të huajt, çfarë ndryshon pas urdhrit të Trump

BOTA


Vendimi i administratës së Presidentit Trump për të zvogëluar numrin e punëtorëve të huaj të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara disa javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit hedh më shumë dritë në pjesën e debatueshme të furnizimit të vendit me krah pune. Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për reformimin e këtij programi për një dekadë ose më shumë.

Bëhet fjalë për vizat H-1B që lejojnë kompanitë të punësojnë përkohësisht punëtorë të huaj në fusha të specializuara. Rregullat e publikuara në fillim të këtij muaji nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) kufizojnë punët për të cilat mund të lëshohen vizat H-1B duke e bërë më të ngushtë përkufizimin e “profesionit të specializuar” që e kualifikon punësimin e një punëtori të huaj.

Rregullat e lëshuara nga Departamenti amerikan i Punës, ndërkohë, rrisin me 30 për qind mëditjet dhe pagat minimale që punëdhënësit amerikanë duhet të paguajnë punëtorët e huaj.

“Në përgjithësi, rregullat po përpiqen ta bëjnë më të vështirë për punëtorët e huaj të specializuar për të marrë viza dhe leje pune duke e e shtuar barrën e kompanive që i sponsorizojnë ato”, tha avokatja e imigracionit, Rosanna Berardi për Zërin e Amerikës.

Rritja e kostos së fuqisë punëtore të importuar i bën punëtorët vendas më tërheqës. Ekonomistët thonë se kjo gjithashtu mund të nxisë firmat amerikane që lëvizin operacionet jashtë vendit në vend se të sjelljes në Amerikë të punëtorëve të huaj me kosto të lartë. Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara qëndroi në nivelin 7.9 për qind në shtator, nga gati 15 për qind që ishte në prill, por ende shumë më e lartë se niveli 3.5 për qind i regjistruar para shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në Amerikë.

Mbrojtja e vendeve të punës

Administrata e Presidentit Trump thotë se qëllimi i saj është të zgjerojë dhe mbrojë vendet e punës në Amerikë.

“Departamenti amerikan i Punës po forcon mbrojtjen e pagave, duke trajtuar abuzimet në këto programe vizash dhe duke siguruar që punëtorët amerikanë të mos preken nga fuqia punëtore e huaj me kosto më të ulët”, tha përmes një deklarate Sekretari i Departamentit amerikan të Punës, Eugene Scalia.

Nga ana e tij, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha në një njoftim për shtyp se të dhënat “tregojnë se më shumë se gjysmë milion viza jo-emigrante H-1B në Shtetet e Bashkuara janë përdorur për të larguar punëtorët amerikanë.”

Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për detaje mbi të dhënat që ai i referohej.

Avokatët e imigracionit i kanë kontestuar gjetjet e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Doug Rand, bashkëthemelues i organizatës “Immigration Boundless”, tha se megjithëse ka patur raste të punëdhënësve që abuzojnë me sistemin H-1B, studime të shumta kanë gjetur një ndikim pozitiv të imigracionit të kualifikuar në pagat dhe punësimin e banorëve vendas me diplomë dhe atyre pa diplomë universiteti.

“Gjetjet e tilla janë në përputhje me pikëpamjen se emigrantët e kualifikuar shpesh janë plotësues të punëtorëve të lindur në vend, dhe përhapja e njohurive dhe aftësive që kontribojnë në rritjen e pagave rezulton nga ndërveprimet mes punëtorëve, dhe se emigrantët e kualifikuar janë krijues të mjaftueshëm për të rritur produktivitetin e përgjithshëm”, tha Rand.

Ekonomistët theksojnë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mbrapa në lidhje me çështjen e punëtorëve të specializuar në disa fusha kritike.

“Emigrantët me aftësi të larta që ne sjellim, pothuajse gjysma e tyre janë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM)”, tha ekonomistja e lartë e Bankës Qëndrore amerikane të Dallasit, Pia Orrenius. “Ndërsa, niveli i të diplomuarve në kolegje që ne prodhojmë në Shtetet e Bashkiuara, është sa vetëm rreth një e katërta tyre.”

Kongresi

Kongresi është përpjekur prej kohësh të balancojë nevojat e specializuara të tregut të punës me mirëqenien e punëtorëve amerikanë.

Senatori republikan Chuck Grassley i Ajovas dhe Senatori demokrat i Ilinoit, Dick Durbin kanë propozuar një sërë projekt-ligjesh dypartiake për vizat H-1B që datojnë që nga viti 2007. Në maj të dy ata, paraqitën përsëri projekt-ligjin që mbulon vizat e punës së përkohshme, si dhe vizat L1 që lejojnë ndërmarrjet e huaja të sjellin punonjës në Shtetet e Bashkuara.

“Kongresi i krijoi këto programe për të plotësuar fuqinë punëtore të aftë amerikane, jo për ta zëvendësuar atë. Fatkeqësisht, disa kompani po përpiqen të shfrytëzojnë programet duke shkurtuar punëtorët amerikanë për krah më të lirë pune”, tha senatori Grassley në një deklaratë.

Senate Judiciary Chairman Chuck Grassley, R-Iowa

Senatori Durbin ra dakord, duke thënë, “Reformimi i programeve të vizave H-1B dhe L-1 është një përbërës kritik i rregullimit të sistemit tonë jofunksional të imigracionit.”

Por senatori Durbin i kritikoi rregullat e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Punës së javës së kaluar si një alternativë të keqe ndaj legjislacionit gjithëpërfshirës, duke shkruar në Twitter, “Ky hap i minutës së fundit është një dredhi për të mbuluar premtimin e shkelur të Presidentit për të ndaluar abuzimin me (vizat) H-1B”.

Llogari dhe përfitime

Daniel Costa, drejtor për ligjin e imigracionit dhe kërkimeve për politika në Institutin e Politikave Ekonomike me qendër në Uashington, tha se Amerika përfiton nga punëtorë të huaj të aftë, por reformat janë të nevojshme.

“Mund të sjellësh ligjërisht një punëtor për një kosto më të ulët se sa është norma për një punëtor të asaj zone”, thotë ai. “Kompanitë do të bëjnë atë që është më e mira për llogaritë dhe fitimet e tyre.”

Costa, ishte bashkautor i një raporti të kohëve të fundit që tregon se 60 për qind e atyre që vijnë me viza H-1B të certifikuara nga Departamenti i Punës, janë “caktuar në nivelet e pagave shumë poshtë pagës mesatare lokale”, duke shtuar se miratimi i legjislacionit është “zgjidhja më e lehtë dhe e thjeshtë” për të reformuar programin e punëtorëve të huaj të përkohshëm.”

“Por mënyra se si po bëhet, dhe në minutën e fundit, thjesht duket sikur është drejtuar politikisht,” tha Costa.

Sfidat e mundshme ligjore

Profesori i drejtësisë së imigracionit në Universitetin Cornell, Stephen Yale-Loehr tha për “Bloomberg Law” se mbetet të shihet “nëse Departamenti i Punës mund të bëjë një ndryshim kaq të madh (në programin e vizave H-1B) përmes procesit të hartimit të rregullave dhe miratimit ligjor.”

“Do të ketë shumë procese gjyqësore që vijnë shumë shpejt,” tha Costa. “Kompanitë që duan të punësojnë H-1B nuk do të përfitojnë nga kursimet e mëdha në paga që kanë pasur më parë. Dhe pastaj përdorimi i programit H-1B nga kompanitë e huaja ndoshta do të tkurret. Dhe të gjitha këto, nëse supozojmë që rregulloret nuk bllokohen nga gjykata”.VOA



Skip to toolbar