Shtetasi turk Selami Simsek, i arrestuar në Rinas në të njëjtën ditë më mësuesin Harun Çelik, i cili u ekstradua pak ditë më herët nga Shqipëria në drejtim të Turqisë ku është vendosur në paraburgim me akuzën se është mbështetës i lëvizjes gyleniste; doli të hënën para gjykatës në Tiranë ku tha se ku e kishte gjetur vizën e falsifikuar drejt Kanadasë.
Në seancën e sotme gjyqësore ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i ambasadës turke. Gazetarja Klodiana Lala tha se para trupit gjykues Simsek tha se vizën e falsifikuar kanadeze e kishte gjetur në Prishtinë dhe për këtë ai ka paguar shumën prej 5 mijë euro, përmes një të afërmi të tij.
“Për t’u larguar më ndihmoi një shtetas turk, ndërsa me vizë kanadezë u pajisëm në Prishtinë. Kam folur me të në turqisht, më kërkoi para për të më pajisur me një vizë, ndërsa pagesën e kam kryer përmes bankës, llogarinë e së cilës nuk e mbaj mend. Paratë u derdhën nga një kushëri i imi në bankë, i cili nuk e dinte se përse po i depozitonte ato para. Personit me emrin Kursak, i dërgova një foto në Ëhatsapp dhe më pas ai më kërkoi të udhëtoja në Kosovë, atje do të siguroja edhe vizën. Kur mbërrita në Kosovë, u ndalova në Prishtinë, qëndrova në një banesë pranë stacionit të autobusëve së bashku me Harun Çelik. Në këtë banesë erdhi një shtetas rreth 30 vjeç e më mori pasaportën, ku vendosi vizën kanadeze. Më pas prenotova biletat Rinas – Vjene ( tranzit ) dhe Toronto”, është shprehur Simsek.
Ndërkohë në seancë organi i akuzës u shpreh se Simsek u arrestua në flagrancë në korrik 2019 në Rinas, teksa po tentonte të udhëtonte nga Rinasi drejt Kanadasë me një vizë false. Sipas prokurorisë intinerari që ai do të ndiqte ishte Rinas-Vjenë-Toronto.
Nga të dhënat hetimore, rezulton se Çelik dhe miku i tij kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, dhe më pas kanë udhëtuar në drejtim të Rinasit, e prej andej do të shkonin në Kanada me vizë të falsifikuar, por u ndaluan nga autoritetet shqiptare.
Harun Çelik u depërtua në Turqi mbrëmjen e 1 janarit në Shqipëria në Turqi. Bashkë me mikun e tij ata dyshohet se janë pjesë e lëvizjes FETO, të Fetullah Gylen që në Turqi konsiderohet organizatë terroriste nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan.
Për t’i dhënë kohë prokurorisë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, gjykata shtyu seancën për në 27 janar, ora 10:00.