Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe pa u arritur marrëveshja finale me Serbinë.
Këto komente, kryeministri Hoti i bëri pas takimit që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
“Tash, jemi duke e diskutuar marrëveshjen finale, përfundimtare për njohje reciproke. Vlen parimi i dakorduar me partnerët tanë dhe me ndërmjetësit e dialogut se nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për të gjitha. Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi kryeministri Hoti.
Ndërsa, sa i takon vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Hoti, tha se vizita e Lajçakut, po ndodh në një moment të duhur.
Sipas tij, takimi ka shërbyer për të vlerësuar procesin e dialogut si dhe për të planifikuar takimet e ardhshme që do të zhvillohen në kuadër të këtij procesi.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë një konference për media në Prishtinë.
Hoti është pyetur edhe për deklaratat e kryetarit të subjektit politik, Lista Serbe, Goran Rakiq, i cili në Beograd, deklaroi se do të tërhiqen nga institucionet e Kosovës nëse nuk formohet shpejt Asociacioni i Komunave Serbe.
Megjithatë, Hoti, tha se qeveria nuk pranon asnjë kërcënim.
“Kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt. Absolutisht prej askujt. Nuk punon nën kërcënimet e askujt. Kemi disa marrëveshje të koalicionit me të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe për aq kohë sa i përmbahemi të gjithë kësaj marrëveshje”, deklaroi kryeministri Hoti.
Në një takim që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës patën në Beograd me drejtorin e ri të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u kërkua themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Petkoviq, tha se përgjegjësi e Bashkimit Evropian (BE) që të ushtrojë presion mbi Prishtinën dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu”, tha Petkoviq.
Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilin të dyja palët e nënshkruan në Bruksel më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Një nga pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje është formimi i Asociacioni të Komunave Serbe.
Aty thuhet “Do të ketë një bashkësi të komunave në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo bashkësi tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord për këtë”.
Pesë pikat e ardhshme të dokumentit specifikojnë mënyrën e formimit të Asociacionit, bazuar në statut, parashikohet zgjedhja e Presidentit, zëvendës- presidentit, Asamblesë dhe Këshillit, si dhe kompetencat në bazë të së cilave Asociacioni do të ketë kontroll të plotë mbi zhvillimin ekonomik dhe rural, arsimin, shëndetësinë dhe urbanizëm.
Në vitin 2015, Serbia dhe Kosova kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës./REL