Një person i dënuar për grabitje me armë të një makine është sjellë në pranga nga Brukseli, ku ishte arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare. Policia e Shtetit tha se specialistët e Interpol Tiranës kanë ekstraduar të kërkuarin Alket Preka, 41 vjeç, banues në Shkodër.
Ky person rezulton se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkodrës, në vitin 2010 e ka dënuar me 6 vjet burg për veprën penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake” . Sipas dosjes penale, Alket Preka, në aksin rrugor Zogaj–Shirokë, ka vjedhur nën kërcënimin e armës një automjet dhe e ka çuar në Shkodër. Nga veprimet e Policisë është gjetur automjeti dhe brenda automjetit edhe një armë zjarri, por autori arriti të arratiset jashtë vendi.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Brukselin, u bë i mundur arrestimi i tij në Belgjikë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.