Kryetarja në detyrë e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i është bashkuar thirrjes së kryeministrit që të gjitha bashkitë të ndihmojnë financiarisht zonat e prekura nga tërmeti, duke shprehur solidaritetin me qytetarët e prekur. “Bashkia e Shkodrës po ndjek me vëmendjen e duhur situatën e krijuar nga tërmetet e njëpasnjëshme në zonën e Tiranës dhe të Durrësit. Shprehim solidaritetin me të gjithë qytetarët, të cilët sot kanë nevojë më shumë se asnjëherë të ndjehen të rrethuar me mbështetje të gjithanshme.
Bashkia e Shkodrës vë në dispozicion të familjeve që nuk kanë mundësi të banojnë në shtëpitë e tyre për shkak të dëmtimit apo të panikut, kapacitetet e saj akomoduese dhe transportuese nga Tirana e Durrësi drejt Shkodrës”, deklaroi kryebashkiakja e Shkodrës. Njëkohësisht, Ademi vuri në dukje se kapacitetet njerëzore dhe teknike të Emergjencave Civile në Bashkinë Shkodër do të jenë në dispozicion në çdo kohë nëse do të jetë e nevojshme. “Në këto momente të vështira, banorët e Bashkisë Shkodër janë pranë atyre të Tiranës, Durrësit dhe më gjerë, të gatshëm për të ofruar strehim edhe në shtëpitë e tyre, nëse do të jetë e nevojshme” shkruhet në faqen e bashkisë së Shkodrës.
Siç duket për Voltana Ademin ka prevaluar ana njerëzore përballë bindjes politike të opozitës, e cila gjatë së dielës, gjeti kohën për të sulmuar sërish mazhorancën, duke deklaruar se po bën vetëm propagandë, duke iu referuar kryeministrit, i cili kishte mbledhur ministrat, emergjencat civile, pushtetin lokal dhe grupin e deputetëve të PS për të dhënë detyrat përkatëse mbi situatën e krijuar nga tërmetet.