Ursula von der Leyen, kandidatja kryesore e qendrës së djathtë, u është drejtuar mbështetësve në selinë e partisë në Bruksel, pasi një vlerësim paraprak i zgjedhjeve europiane tregon se Partia Popullore Europiane mbetet formacioni më i fortë politik, që do të drejtojë Parlamentin e ri Evropian, me mbi 180 deputetë.
Duke parë rritjen e frikshme të ekstremit të djathtë, që doli forcë e parë në Francë dhe Austri, e me shumë gjasë do të triumfojë me Georgia Melonin në Itali, Von der Leyen u zotua që do të ndërtojë një “bastion kundër ekstremistëve” në parlamentin e ri të BE-së.
“Ne do të ndërtojmë një bastion kundër ekstremeve nga e majta dhe nga e djathta. Asnjë shumicë nuk mund të formohet pa PPE. Ne jemi partia më e fortë. Ne jemi spiranca e stabilitetit dhe votuesit e pranojnë udhëheqjen tonë në pesë vitet e fundit. Ishim të vendosur, ishim të bashkuar, ia dolëm!”, deklaroi ajo.
Von der Leyen, e cila po konkurron për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian, ka reflektuar mbi fushatën e saj, gjatë së cilës vizitoi 17 shtete anëtare dhe 31 qytete.
“Kjo ishte një nga përvojat më të mira që kam pasur ndonjëherë në jetën time politike. Ishte vërtet e mrekullueshme”, tha ajo, duke vënë në dukje se kishte ndjerë shumë besim te PPE dhe Bashkimin Evropian. “Dhe sonte, kjo është konfirmuar“, u tha ajo mbështetësve.