Votimi elektronik, Patozi: Të aplikohet vetëm në Tiranë

Më të fundit


Partia Bindja Demokratike i ka dërguar Komisionit Qendror të zgjedhjeve propozimin e saj që projekti pilot për numërimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të aplikohet vetëm në Tiranë.

“Në përgjigje të shkresës suaj kur kërkoni opinionin tonë për zonën zgjedhore se ku do të aplikohet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, projekti pilot për kryerjen e procesit të votimit nëpërmjet teknologjisë së informacionit ne kërkojmë që kjo zonë të jetë Tirana”, thuhet në kthim-përgjigjen e Bindjes Demokratike që mban firmën e Astrit Patozit.

Një ditë më parë në KQZ dërguan kërkesat e tyre edhe dy partitë kryesore PD dhe PS. Palët bashkohen të dyja për qarkun e Korçës ndërsa ndahen në Tiranë dhe Fier. Këtë të fundit e paraqet si kërkesë Partia Demokratike.

Ndërkohë që socialistët kërkojnë që përveç Korçës, projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje të aplikohet pjesërisht në Tiranë, kryesisht në zonat urbane për të shmangur ndonjë problem të mundshëm me shtrirjen e sinjalit të internetit.

Projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje do zbatohet në 20% të zonave, pikë kjo e dakordësuar në Këshillin Politik. Për të vendosur se në cilat zona zgjedhore do zbatohet projekti pilot për të mundësuar numërimin dhe votimin elektronik, do duhet konsensusi i palëve politike.



Skip to toolbar