Votohet projekt-rezoluta, 97 vota kundër Metës për Kushtetuesen

#NËRADAR


Me 97 vota ‘pro’, Kuvendi votoi projekt-Rezolutën për shmangien e krizës në Gjykatën Kushtetuese. Ky dokument e cilëson “nul”dekretin e Ilir Metës, për të emëruar Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese për vakancën që i takon Presidentit. Në projekt-rezolutë të zbardhur nga RealStory.al, theksohet se presidenti ka marrë edhe kompetencat e KED, i cili është organi i vetëm që përcakton renditjen. Kuvendi e cilëson emërimin e Marsida Xhaferllarit të pavlefshëm dhe se dekreti i presidentit pas përfundimit të afatit të tij kohor  “është nul dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

“Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese si dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë” shkruhet në projekt-rezolutën që pritet të miratohet të premten në Kuvend.

Kuvendi përmes projekt-rezolutës i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve që janë të ngarkuara nga ligji në lidhje me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të mos zbatojnë dekretin nul të presidentit Meta dhe të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës. Gjithashtu Kuvendi i bën thirrje Presidentit Meta që të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me betimin e anëtareve të zgjedhura sipas ligjit Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës  nr.11350, datë 13.11.2019. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e  fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji”, shkruhet në projekt-rezolutën e Kuvendit.

Kuvendi deklaron se për të shmangur raste të tilla bllokuese dhe abuzive do të kryej rishikim të legjislacionit si dhe i bën thirrje Presidentit Meta të heq dorë nga tentativat bllokuese të reformës në drejtësi dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të reflektojë duke mos shkelur Kushtetutën duke marrë vendime tej kufijve të kompetencave të njohura nga Kushtetuta.

“Kuvendi i bën thirrje Presidentit të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.” shkruhet ndër të tjera në projekt-rezolutë. Një projekt-rezolutë e tillë nga Kuvendi ku dekreti i Presidentit shpallet nul është marrë edhe në lidhje me dekretin e tij të 13 tetorit, për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke mos njohur vlefshmërinë e saj. Dhe në fakt, më 13 tetor nuk pati zgjedhje./Realstory.al/



Skip to toolbar