Ish-presidentët Moisiu e Topi: Votuam, jemi kundër bojktotit. Voton edhe Fatos Nano

AKTUALITET


Ish kryeministri dhe ish kryetari i PS-së, Fatos Nano i distancuar nga politika është shfaqur të dielën teksa ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij. Siç duket edhe në fotot që disponon realstory.al, Fatos Nano ka votuar në qendrën e votimit që ndodhet në Shkollën 9-vjeçare “Sami Kalasa” në zonën e Mulletit në Tiranë. Pra ish kryeministri i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për këtë arsye nuk është treguar indiferent por i është drejtuar qendrës së votimit.

Votën e tij në kuti e ka hedhur të dielën edhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Pasi votoi Moisiu u bëri thirrje palëve politike të reflektojnë ndërsa e quajti të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet dhe për të bojkotuar zgjedhjet.  “Unë mendoj se këto zgjedhjet kanë një defekt për mospjesëmarrje të opozitës tradicionale se opozita tjetër ka edhe në zgjedhje edhe në kuvend. Për mua kjo ka qenë një fatkeqësi, nuk duhej të ndodhte, As nuk duheshin djegur mandatet dhe as nuk duheshin bojkotuar zgjedhjet. Ne çdo dy vjet kemi zgjedhjet. Isha dakord për 30 qershorin sepse moszbatimi i kësaj date do krijonte një precedent. Unë uroj që kjo situatë të zgjidhjet sa më parë.Tashmë palët politike kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Kam bindjen se më në fund,politikanët shqiptarë duhet të ecin përpara. Në 2007 unë nuk kisha të drejtë të vlerësoja dekretin e mëparshëm pa më dhënë këtë të drejtë Kodi Zgjedhor dhe vetëm pasi m’u dha kjo e drejtë nxora dekretin tjetër”, tha ish presidenti, Moisiu.

Edhe ish-presidenti i Republikës Bamir Topi ka zgjedhur të votojë të dielën edhe pse vjen nga një e kaluar politike tek demokratët të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje.  Kreu i Frymës Demokratike tha se voton pasi është kundër bojkotit dhe se ka kryer detyrën e tij si qytetar. Ish-presidenti tha se mospjesëmarrja imponon zgjedhje të sforcuara. “Sot është një ditë votimesh, të gjithë ata që kanë marrë pjesë kanë ushtruar të drejtën e tyre. Ka qenë një mesazh i fortë i partenerëve tanë jashtë vendit nga SHBA-të të ciltë duhen kuptuar qartë që politika amerikane është poltiikë e institucioneve, jo e emocioneve. Këtë lloj instabiliteti që ka politika shqiptare nuk e ka populli, populli shqioptar ka nevojë të orientohet, skema politike shqiptare ka nevojë të riformatohet, njerëzit duhet të fitojnë besimin. Jam në vijim të bindjeve të mia të thella kundër bojkotit, parime të cilat i ka dhe subjekti ynë politik i cili merr pjesë në zgjedhje por edhe në vijim edhe një politike anti-bojkot që e kanë shprehur së fundmi dhe partnerët tonë kryesorë. Erdha për të bërë detyrën time qytetare dhe politike.

Sonte duhet të bëjnë një meditim të thellë. Duhet një reflektim qytetar për çfarë kanë bërë, pse e kanë sjellë demokracinë në Shqipëri në këtë nivel. Është standardi më i ulët i demokracisë që përjetojmë prej shumë vitesh. Duke filluar nga dita e nesërme, qofshin fitimtarë, qofshin njerëz që kanë bojkotuar duhet t’i thërrasin mendjes për të ardhur në procesin e reformimit politik”, deklaroi Bamir Topi.



Skip to toolbar