Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka reaguar pas vrasjeve të kohëve të fundit që kanë përfshirë vendin kryesisht në Tiranë dhe Shkodër. Duke marrë shkas nga vrasja e 14-vjeçarit një ditë më parë në shkollën Fan Noli në kryeqytet Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka nisur mbledhjen e sotme me një lutje për paqe dhe drejtësi në vendin tonë.
“Vrasjet dhe dhuna e kohëve të fundit, në qytetet e rëndësishme të Shqipërisë si Tirana dhe Shkodra, duke veçuar vrasjen e një nxënësi 14-vjeçar ditën e djeshme në Tiranë nga bashkëmoshatarët e tij, na shqetësojnë në lidhje me shëndetin e shoqërisë sonë. Në sytë dhe perceptimin tonë situata është e rëndë. Sot, në fillimin e mbledhjes plenare të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, i jemi lutur Hyjit për paqe dhe drejtësi në Shqipëri”.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë kërkon angazhimin e institucioneve dhe faktorëve për një shoqëri më të mirë e më të sigurt.
“Në të njëjtën kohë, ne si Kishë katolike, ngremë zërin për të punuar së bashku për një shoqëri më të paqtë, ku të mbizotërojë dialogu dhe ligjshmëria. Ndërsa kërkojmë angazhimin e strukturave që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët dhe rendin, si Kishë katolike angazhohemi për të qenë ndihmë dhe bashkëpunues me të gjithë faktorët për një shoqëri më të mirë e më të sigurt. U bëjmë apel të gjithëve për çarmatosjen e duarve, të zemrave dhe të mendjeve nga armët dhe nga armiqësia. Të gjithë, pa dallim, duhet të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të paqtë e të drejtë”.