Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë premte në Ferizaj në Kosovë. Një grua mbeti e vrarë jashtë ambienteve të qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Drejtoresha e kësaj qendre sociale, Adelina Rexhepi-Braha, ka treguar dinamikën se si ka ndodhur kjo që ngjarje e rëndë. Dyshohet se autori i krimit është ish-bashkëshorti i gruas që u qëllua për vdekje.
Drejtoresha e qendrës sociale, ka treguar për mediat në Kosovë, se nëna e kishte dërguar fëmijën në qendër rreth orës 13:00 për të takuar me babain. I ati e ka marrë djalin e ka dërguar në shtëpi dhe më pas e ka dërguar sërish në qendër.
Sipas saj vrasja ka ndodhur pas disa përplasjeve dhe konflikteve të çiftit.
“Djalin e kishte për ta kthyer në qendrën sociale në orën 15:00 dhe më pas duhet ta merre nëna. Kur ai ka dalë poshtë, është takuar me ish-bashkëshorten dhe aty kanë nisur konfliktet me tone të larta. Ky ka qenë momenti kur ish-bashkëshorti ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar, ndërsa i vëllai i viktimës ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të kësaj qendre”, ka treguar ajo.