Mëngjesin e të martës, në autostradën Levan-Vlorë janë ende të freskëta gjurmët e atentatit mafioz të ndodhur një natë më parë, ku mbeti i vrarë Kristjan Marku.
Xhama të makinës së thyer që gjenden ende në rrugë, shenja të frenimit në rrugë, si dhe pjesë të makinës anës rrugës. Gjithashtu në pamje edhe kamera të sigurisë të cilat kanë filmuar lëvizjen e makinës së autorëve dhe viktimës. Në autostradë dhe një pjesë e barrierës anësore duket e goditur si rrjedhojë e aksidentit të mëpasshëm që ka bërë makinat.
Rreth 10 persona dyshohet se janë pyetur në polici për ngjarjen. Ata janë kryesisht persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes, personi që lajmëroi policinë mbi makinën dhe trupin, drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident. Ndërsa 4 persona nga Rrësheni janë shoqëruar në polici. Ata janë kryesisht familjarë të viktimës të cilët janë pyetur rreth të shkuarës së tij dhe gjithashtu ngjarjeve në Rrëshen dhe konflikteve që kanë pasur. Nuk raportohet të kenë dhënë ndonjë detaj që mund të ndihmojë policinë në zbardhjen e ngjarjes në fjalë.
Kush ishte viktima?
30-vjeçari Kristjan Marku është hetuar më herët për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet se disa minuta pas ngjarjes, në një distancë jo shumë të largët është gjetur dhe një mjet në djegie e sipër që dyshohet se iu përket autorëve.
Kristjan Marku u godit me breshëri automatiku në aksin Vlorë-Fier teksa ndodhej në makinën e tij.
Moti me shi dhe mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë për kapjen e autorëve, teksa në të gjitha hyrjet e qytetit bregdetar janë ngritur dhe postblloqe.