Vrasja e shqiptares në Francë, i arrestuari rrëfen krimin makabër

AKTUALITET


Policia franceze deklaron se i arrestuari për vrasjen e shqiptares Brunilda Sadushi, e cila u gjet gjysmë e zhveshur dhe e djegur në afërsi të Kanës, ka pranuar krimin e kryer, duke sqaruar edhe rrethanat e ndodhjes së tij.

Mediat franceze kanë zbuluar detaje tragjike për vrasjen makabre të 37-vjeçares shqiptare Brunilda Sadushi në Mugins në afërsi të Kanës në Francë. Nëna e një djali të mitur u gjet gjysmë e zhveshur natën e Krishtlindjes në një park të qytetit dhe trupi i saj ishte pjesërisht i djegur.

Mediat citojnë prokurorinë franceze sipas së cilës shqiptarja ushtronte prostitucion në këtë zonë dhe nga hetimet e para mësohet se autor i krimit të rëndë ka qenë një nga klientët e saj.

Policia franceze tha se ka arrestuar të premten një tjetër shqiptar 28-vjeçar si i dyshuar për krimin. Ai u ka rrëfyer hetuesve se e ka mbytur 37-vjeçaren pas një sherri që kishin pasur në makinën e tij.

Prokurori francez Fabienne Atzori tha se pas krimit 28-vjeçari ka tentuar të zhdukë trupin duke e dërguar në një park ku edhe ka tentuar ta djegë atë. Sipas tij motivi i krimit mbetet i paqartë, por besohet se arsyet janë të dobëta.

Shqiptari i arrestuar doli para një gjykatësi të shtunën ndërsa të hënën do të bëhet një autopsi më e specializuar e viktimës e cila u identifikua nga 2 tatuazhe në trupin e saj. Prokurori shtoi se shqiptarja kishte denoncuar edhe një tjetër rast dhune në vitin 2015.

Pasi mësuan lajmin e kobshëm për vdekjen e vajzës së tyre, familjarët nga Berati apeluan për ndihmë. Fatime Kovaçi, 56-vjeçe, nëna e Brunildës, tregon mes lotësh se si e mësoi lajmin e hidhur. Ajo tregon se ishte një telefonatë që i erdhi në mbrëmje nga bashkëjetuesi i vajzës, njëkohësisht edhe babai i djalit 3-vjeçar Leonardos, i cili i tha se vajza është gjetur e vdekur dhe se familja duhet të shkojë për të tërhequr kufomën brenda një jave, pasi në të kundërt shteti francez e varros atje.

Fatimeja tregon se Brunilda kishte shkuar në Francë 4 vite më parë dhe jetonte atje me një shtetas shqiptar, me të cilin në Francë ka lindur edhe një djalë. Djali, Leonardoja që është 3-vjeç, aktualisht pas vdekjes së Brunën, ndodhet nën kujdesin e shtetit francez, sepse i ati i tij jeton në Tiranë dhe nuk mund të shkojë dot për të marrë djalin në Francë, pasi në atë shtet ka “ekspuls”.



Skip to toolbar