Vrasja me snajper e Gëzim Sinomatit, ‘RENEA’ blindon Vlorën

AKTUALITET


Forcat Speciale kanë zbarkuar këtë të mërkurë në qytetin bregdetar të Vlorës. Mësohet se efektivët kanë ngritur postblloqe në disa pika kryesore dhe po ushtrojnë kontrolle të gjera në ambiente të ndryshme, me qëllim gjetjen e provave për atentatin ndaj Gëzim Sinomataj.

I riu ishte djali i Sokol Sinomataj, një ndër anëtarët e bandës së “Gaxhait” dhe i njohur me nofkën “Buzëderri”. Gëzim Sinomataj jetonte në Belgjikë dhe ishte kthyer në Vlorë vetëm për festat e fundvitit.

Ai ka qenë duke qëndruar në sallonin e shtëpisë së tij tre katëshe, në lagjen “Hajro Çakërri”, kur është qëlluar me snajper që nga rruga.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë planizuar në akset kryesore ku po kalojnë në kontroll makinat luksoze dhe ato të dyshuara, ndërsa kontrolle ka dhe në njësitë administrative.

Muhamet Rrumbullaku po qëndron “në kokë” të një grupi të posaçëm hetimor që është ngritur për këtë ngjarje të rëndë kriminale, bashkë me një ekip me profesionistë nga Policia e Shtetit, për të arritur te autori dhe personat që e kanë ndihmuar atë.

Dyshimet se pas atentatit qëndrojnë vrasës me pagesë dhe ndoshta dhe persona që mund të jenë pjesë aktive e strukturave të specializuara shtetërore, ka bërë që në Vlorë të shkojë vetë kreu i Policisë së Shtetit. Kryepolici ka qëndruar në Vlorë për më tepër se 24 orë, që nga dita e atentatit.

Disa orë pas ngjarjes së rëndë, në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar u gjet një mjet tip “BMW” i braktisur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit. Brenda tij, nuk janë gjetur armë siç ndodh zakonisht, por një bllok betoni i vendosur në pjesën e pasme.

Ky detaj ka përforcuar edhe më tepër dyshimet se vrasja e Gëzim Sinomatajt është bërë me snajper dhe blloku i betonit është përdorur për të siguruar qëndrueshmërinë e qitësit dhe për mbështetjen e armës gjatë kryerjes së qitjes.



Skip to toolbar