Dy personat që mendohet se ekzekutuan Besnik Hidën më 1 tetor në qytetin e Lushnjes, ishin denoncuar në polici para një javë nga vetë viktima. Një javë para ekzekutimit, Hida kishte dorëzuar në policinë e Lushnjes pamje filmike të Orges Bilbilit dhe Laert Haxhiut, të shpallur në kërkim për vrasjen e nipit të tij Zamir Latifi, dy vite më parë. Sipas News 24, Hida ishte në dijeni të rrezikut që i kanosej dhe për këtë kishte dorëzuar në polici lëvizjen e lirë të dy personave të shpallur në kërkim si autorë të vrasjes së nipit të tij, që lëviznin të lirë me makina luksoze “Tuareg” dhe “BMW X6”, pa u shqetësuar, por kjo nuk e ka vënë në lëvzje policinë e Lushnjes. Dy vrasësit e nipit të tij, dyshohet se janë edhe autorët e vrasjes së tij.
Një javë më pas Besnik Hida , u ekzekutua me breshëri plumbash teksa pinte kafen e mëngjesit në një lokal në Lushnje. Vrasja ndodhi në një zonë që nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë, ndërsa dy autorët përdorën një makinë të vjedhur disa ditë më herët në Tiranë, e njohur ndryshe edhe si makina e “seksit”. Kjo pasi ato iu vodhën makinën tip “Fiat” një çift që po kryente marrëdhënie intime në të. Pas përdorimit për ekzekutimin Hidës, makina u gjet e djegur në lagjen 18 Tetori.
Ndaj Hidës ishte bërë edhe një atentat i mëparshëm, duke i vendosur tritol makinës të tij, por kishte shpëtuar mrekullisht. Nuk dihen ende motivet e vrasjes së tij, por pista kryesore e policisë mbetet ajo e hakmarrjes.