Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në Tiranë në zonën e Astirit ku i riu Vilson Tafçiu (Noka) u qëllua për vdekje teksa ishte duke pirë kafe në një lokal, ndërsa të tjera detaje kanë dalë në pah nga kjo vrasje. Burime informacioni bëjnë të ditur se policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve të zonës përreth dhe në pamjet filmike duken dy makina që largohen me shpejtësi nga vendngjarja pas momentit të vrasjes. Madje policia e ka pikasur njërën prej makinave dhe i është vënë në ndjekje. Por kur e ka ndaluar dhe ka identifikuar drejtuesin e mjetit ka rezultuar se ai nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se ishte larguar nga frika pas atentatit. Ndërkohë që makina tjetër me ngjyrë të zezë që u largua me shpejtësi rezulton se është e autorëve të vrasjes, por ende nuk ka asnjë gjurmë të saj.
Hetimet janë përqendruar në të kaluarën e viktimës, i cili ishte deportuar nga Franca në vitin 2018 për trafik droge, ndërsa kishte jetuar edhe në Belgjikë.
Viktima ka qenë i shoqëruar më dy vajza në lokal ku po konsumonin kafe, kur është thirrur nga një person për të dalë jashtë, ku dhe është qëlluar për vdekje. Sipas dëshmitarëve 28-vjeçari është thirrur nga një person i gjatë dhe më pas e ka qëlluar para lokalit, që ndodhej në një zonë mjaft të populluar.
Noka ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit çka i kanë shkaktuar atij vdekjen. 28-vjeçari ishte me origjinë nga Dibra dhe ndodhej në zonën e Astirit, për të varrosur gjyshen, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, që ndodheshin në lokal, për t’i pyetur për ngjarjen, si dhe ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.