Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës në Vaun e Dejës.
Policia bën me dije se ngjarja ndodhi në fshatin Shelqet, rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi Alfons Palushani, 37 vjeç, banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Agron Metushi 51 vjeç, banues në Shkodër.
“Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi Alfons Palushani ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi Agron Metushi ka hipur në automjetin e tij për tu larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri”, sqaron policia.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tij