Vrau 20 vjet më parë burrë e grua për grabitje, sillet me pranga nga Viena

AKTUALITET


Ishte muaji gusht i vitit 1999, kur tre persona hynë në shtëpinë e Bajram dhe Natasha Drizës në Fier për të vjedhur para. Gjatë vjedhjes, ata u zbuluan nga bashkëshortët dhe në këto kushte grabitësit i vranë në shtëpi. Ngjarja që tronditi 20 vite më parë Fierin është rikthyer sërish në vëmenjde, pasi një nga autorët e krimit makabër, i cili fshihej në Vjenë është ekstraduar në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Policia deklaroi se është sjellë me pranga nga Vjena Viktor Pelivani, 43 vjeç, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me pasojë vdekjen. Viktor Pelivani, Feta Kaja dhe J. B., më 7 gusht 1999 hynë në banesën e Natasha dhe Bajram Driza për të kryer vjedhje. Pasi janë diktuar nga çifti në momentin e vjedhjes, Kaja ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy bashkëshortëve.

Tre hajdutët vrasës u dënuan që në vitin 2002 nga Gjykata e Fierit, por deri në vitin 2018, dënimi për Pelivanin nuk kishte marrë formën e prerë. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër, Kaja është ekstraduar nga Greqia në vitin 2016.



Skip to toolbar