Vrau biznesmenin në bjeshkët e Tropojës, kapet pas 10 muajsh

Më të fundit


Pas dhjetë muajsh në kërkim, policia e Shkodrës ka mundur të arrestojë autorin e vrasjes së biznesmenit Tahir Bajraktarit në Tropojë. Policia e Shkodrës bëri të ditur se ka arrestuar Nikë Lulashin, 55 vjeç banues në Tropojë, i cili u kap në fshatin Bregu i Lumit në Dukagjin, ku mendohet se qëndronte i fshehur që pas krimit të kryer më 18 shtator të vitit 2018.

Tahir Bajraktari, me profesion mekanik, por që kishte ngritur një biznes në bjeshkët e Tropojës, sipas policisë, është qëlluar për vdekje me armë zjarri. 69-vjeçari, banues në Tiranë, kishte në pronësi një shtëpi pushimi në bjeshkë, ku kishte shkuar dy ditë para ngjarjes së ndodhur më 18 shtator 2018. Autori i dyshuar, sipas policisë, është Nikë Lulashi, 55 vjeç, fqinj i tij. Krimi ndodhi në fshatin Dobërdol, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se mes dy fqinjëve ka pasur një konflikt për pagesën, që 69-vjeçari i jepte Lulashit për t’u kujdesur për shtëpinë e tij të pushimeve.

Banorët e zonës tregojnë se 69-vjeçari kishte ndërtuar një HEC për furnizimin e disa banesave me energji elektrike si dhe kishte mundësuar shërbimin e internetit për zonën. Bajraktari, me profesion mekanik, i cili njihej në zonë si “profesori”, ashtu siç bënte çdo vit, kishte udhëtuar drejt Tropojës për të kaluar disa ditë pushime.

Por, pas një grindjeje për shumën që duhet t’i paguante 55-vjeçarit Nikë Lulashi, ky i fundit e ka qëlluar me armë duke e lënë të vdekur. I moshuari u gjet brenda në banesën e tij pa shenja jete nga fqinjët, ndërsa fillimisht u dyshua për vetëvrasje. Por, pas hetimeve të Policisë u arrit të zbulohej e vërteta e ngjarjes. Policia identifikoi autorin e dyshuar dhe e shpalli në kërkim, të cilin arriti ta arrestojë pas 10 muajsh.



Skip to toolbar