Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Eduart Xhezon, i arrestuar pak ditë më herët për vrasjen e biznesmenit nga Vlora Arben Beqiraj dhe plagosjen e djalit dhe nipit të tij. Në seancë, gjykata vendosi masën e arrestit me burg për “të fortin e Vlorës”. Xhezo akuzohet se më 4 gusht të këtij viti në zonën e plazhit në Vlorë ai qëlloi me armë zjarri dhe vrau biznesmenin Arben Beqiraj.
Policia e Vlorës, Tiranës e Durrësit bënë të mundur arrestimin e tij, pas një vëzhgim disa ditor. Vetëm pas kësaj, ra në pranga 34-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje.
Xhezo akuzohet për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj 4 gusht të këtij viti në Vlorë. Ai hapi zjarr në zonën e plazhit të vjetër pas një sherri me biznesmenin në fjalë për një xhiro më kalë. Bashkë me viktimën u plagosën edhe Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj. Konflikti nisi për shkak të një kali i cili ka kaluar mes plazhistëve të administruar nga Arben Beqiraj dhe Ergest Beqiraj. Ata janë konfliktuar me personin që po kalëronte duke u përfshirë në konflikt fizik me të. Ai më pas është larguar nga zona dhe një orë më vonë është kthyer me një makinë dhe katër persona të tjerë, Eduart Xhezon, Ariel Kingjin, Çelik dhe Geno Lenan. Dy prej tyre janë afruar pranë Beqirajve për të diskutuar por debati është përshkallëzuar dhe autorët kanë nxjerrë armët duke qëlluar në drejtim të Arben dhe Ergest Beqirajt dhe kushëririt të tyre.