Gjykata e Korçës dhe prokuroria janë duke bërë “ping-pong” me dosjen e vrasjes së Altin Balliut. Gjykata ka rikthyer për herë të dytë dosjen në prokurori ku i kërkon asaj hetime më të thelluara pasi ka mangësi në hetime në lidhje me ngjarjen.
Balliu u vra më 17 janar të 2019, pas një sherri që pati në lokal me një tjetër person. Ai u qëllua me plumb në kokë duke humbur jetën në vend. Për ngjarjen u arrestua autori Olgert Mustafa, ndërsa familjarët e viktimës kanë akuzuar prokurorin e çështjes Edmond Shytkon, për anësi dhe favorizim të autorit të krimit. Sipas familjarëve të viktimës, autori i krimit Mustafa, është ndihmuar nga një shok natën e vrasjes së të riut, dhe ky fakt nuk është hetuar nga Prokuroria. Për këtë arsye, gjykata i kërkon prokurorisë të thellojë hetimet, edhe për një bashkëpunëtor në vrasje.
Si ndodhi ngjarja në janar të 2019?
35-vjeçari Altin Balliu u qëllua me armë zjarri më 17 janar të vitit 2019, pas një sherri në lokal, duke gjetur vdekjen në vend. Balliu ishte nga fshati Slabinjë i Pogradecit, ndërsa ndodhej në lokal me miqtë e tij.
Në lokal ka pasur një sherr masiv mes viktimës dhe autorit të ngjarjes. Ky i fundit ka qëlluar fillimisht me një plumb makinën e viktimës, dhe më pas ka qëlluar me plumb në kokë 35-vjeçarin.