Kryebashkiaku i Arenillas, Eber Ponce Rosero, vdiq pasi u qëllua me pesë plumba teksa po lëvizte me makinë me djalin e tij të mitur drejt juglindjes së Ekuadorit.
Ishte Shoqata e Komunave të Ekuadorit (AME) ata që njoftuan nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale një ditë më parë (12 janar).
“Me pikëllim njoftojmë vdekjen e kryetarit tonë të dashur të Arenillas,” njoftoi AME, duke shpjeguar se ngjarja ndodhi pas orës 16:30 (koha lokale) kur kryebashkiaku 45-vjeçar u sulmua nga një burrë, identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Sipas asaj që raportoi gazeta ekuadoriane “El Comercio”, nuk është e qartë nëse kryebashkiaku ishte kërcënuar më herët.
Ndërkohë Policia e Ekuadorit përmes një komunikate tha se “ngjarja e dhunshme” e regjistruar në Arenillas “rezultoi me tre plagë me armë zjarri. I plagosuri u transferua në një qendër mjekësore, ku fatkeqësisht u konfirmua vdekja e kryebashkiakut. Djali i tij i mitur u plagos por pa rrezik për jetën”.
Në Ekuador, shtet i Amerikës Latine, vrasjet e politikanëve janë një dukuri e zakonshme.
Ekuadori prej kohësh po përjeton epokën e tij më të përgjakshme për shkak të trafikut të drogës dhe bandave lokale të cilët janë në luftë për kontrollimin e rrugëve, burgjeve dhe rrugëve të drogës.
Në gusht të 2023 u ekzekutua kandidati për president të Ekuadorit, Fernando Villavicencio. Ekzekutim i cili solli një zinxhirë vrasjesh në radhët e politikanëve ekuadorianë.