Vritet një grua në Kharkiv, Rusia bombardon Ukrainën

BOTA


Ushtria ruse ka vazhduar bombardimin e rajonit të rrethuar ukrainas të Harkivit, mdërsa Moska ka raportuar se Krimeja e aneksuar është shënjestruar nga dronë.

Një grua 73-vjeçare vdiq më 12 gusht pasi Rusia kreu një sulm ajror në qarkun jugor të Kupjanskut, tha guvernatori i rajonit të Harkivit, Ohel Synyehubov.

Më 10 gusht, Ukraina lëshoi një vendim për evakuim të detyrueshëm të 37 qyteteve dhe fshatrave në qarkun e Kupjanskut në rajonin e Harkivit, pas intensifikimit të granatimeve nga forcat ruse.

Në qytetin e Kupjaskut dhe në territoret përreth që ishin në pushtimin rus që nga shtatori i vitit 2022, forcat ukrainase kanë ndërmarrë një kundërofensivë duke larguar forcat e Kremlinit nga pothuajse tërë rajoni i Harkivit.

Rusia ka përqendruar sulmin te trupat që mbështeten nga njësitë e tankeve, artileria dhe avionët në Kupjansk, tha zëdhënësi i Gardës Kombëtare të Ukrainës, Ruslam Muzychuk për televizionin ukrainas më 10 gusht.

Gjetkë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se forcat ruse kanë shkatërruar 20 dronë të supozuar ukrainas në Gadishullin e Krimesë, që Rusia ka aneksuar më 2014.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk ka raportuar për viktima apo dëme si pasojë e tentim-sulmeve më 12 gusht.

Kjo ministri tha se 14 dronë janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërkaq gjashtë të tjerë nga pajisje luftarake elektronike.

Autoriteti për transport në Krime tha përmes rrjeteve sociale se trafiku në urën, që lidh gadishullin me rajonin rus të Krasnodarit, ishte pezulluar për dy orë.

Sulmet me dronë në territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë dhe thellë brenda Rusisë janë intensifikuar që kur u shkatërrua një dronë mbi Kremlin në fillim të majit.

Ukraina pothuajse asnjëherë nuk e merr përgjegjësinë për këto sulme, por ka thënë se ka shkatërruar infrastrukturën e rëndësishme të ushtrisë ruse gjatë kundërofensivës së Kievit.



Skip to toolbar