Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur për “Der Spiegel”, ku ka komentuar nismën për Shengenin Ballkanik, duke thënë se kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur në Ballkan në 30 vitet e fundit dhe që synon ta kthejë këtë rajon në një Skandivani të së ardhmes.
Vuçiç ka thënë se në samitin e fundit të mbajtur në Ohër, tre liderët kryesorë të Ballkanit kanë rënë dakord për shumë pika të marrëveshjes dhe synimi është zhvillimi ekonomik i rajonit. I pyetur për Kosovën Vuçiç tha se kosovarët ende nuk e dinë se çfarë duan por Serbia është gati të bëjë biznes me ta.
“Projekti “mini-Shengen” është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këtë rajon në 30 vjet. Nuk ka më luftë, jo më therje, përkundrazi një lloj Skandinavie për të varfërit. Ne mund të bëhemi një motor zhvillimi për të gjithë Evropën.
Ne në Ballkan nuk duam që të mashtrohemi nga vendet e mëdha të BE-së apo të bëjmë lojëra kundër njëri-tjetrit. Ideja e “Mini-Shengenit” në Ballkan do të thotë, lëvizje e lirë e mallrave dhe njerëzve. Ne po i japim fund një situate në të cilën kamionët tanë detyrohen që të presin në kufi nga 90 orë. Banka Botërore vlerëson se kjo do të çojë në 3.5 miliardë euro kursime në rajon”, tha Vuçiç i cili është pyetur nëse edhe Kosova do të jetë pjesë e “Mini-Shengenit”.
“Kosovarët nuk dinë çfarë duan. Albin Kurti, i cili ka të ngjarë të jetë drejtuesi i tyre i radhës, tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e shikon veten si shtet, por ne nuk e shohim atë në atë mënyrë. Sidoqoftë, ne mund të bënim biznes të shkëlqyeshëm”, ka theksuar Vuçiç, i cili ka folur edhe për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.