Në tryezën e përbashkët në Shkup me përfaqësues të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, të BE-së dhe SHBA-së ka folur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Ai u shpreh se Serbia është e hapur për idetë e tregut rajonal, por kërkoi ndihmën e Bashkimit Evropian në disa çështje të brendshme ekonomike.
“Do doja t’ju them se nuk shoh një rrezik të madh politik për pjesëmarrësit këtu, përveçse për ne, por ne e shohim si iniciativë të lartë, për ne janë të rëndësishme shiritet e gjelbërta, nuk e nënçmoj zonën europiane, por për ne më të rëndësishme janë shiritet. Do krijojë një mjedis të mirë biznesi për shtetet tona dhe për të gjithë ata që duan të investojnë. Jemi të hapur për të gjitha idetë dhe të gatshëm për të punuar. Kam një lutje që të na ndihmoni me çështje të tjera, disa probleme të mëdha me të cilat duhet të ballafaqohemi, duhet të harmonizohemi kur flasim për masa ekonomike dhe politika të ndryshme. Përshembull, nëse duam të subvencionojmë kompanitë që investojmë në Serbi, nuk ndodh dot para 2026-ës pasi ne nuk e dimë a do jemi pjesë e BE dhe s’mund ta ofrojmë si garanci. Këto janë momente kur na duhet ndihmë. Nuk besoj që do kemi barriera mes nesh, këto janë çështje që duhen diskutuar, lidhshmëria e rajoneve, ashtu siç bëmë me Ballkanin e Hapur do jetë përfitim i madh, është ajo që duhet dhe mund ta bëjmë. Për Ballkanin e tërë, për ekonominë, njerëzit është diçka që do jetë e përbashkët”, u shpreh Vuçiç.