Tërmeti i 26 nëntorit, bëri bashkë të gjithë shqiptarët në përballimin e kësaj tragjedie. Që në momentin e parë, një grup i madh vullnetarësh, të organizuar apo në mënyrë individuale shkuan menjëherë në zonat e prekura nga tërmeti, duke ju ardhur në ndihmë banorëve.
Bledi Çuçi në cilësinë e ministrit fuqiplotë për adresimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit ka informuar se një pjesë nga grupi i madh i vullnetarëve në terren kanë qenë edhe studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
“Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, një grup i madh vullnetarësh në mënyrë individuale ose të organizuar kanë qenë në terren në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti, pjesë e tyre edhe studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës”, thotë Çuçi.
Sipas tij, rreth 130 studentë shërbyen në Durrës, Manzë, Ishëm, Sukth, Kullë, Kurbin etj. “Ky angazhim është mesazhi më i mirë i rimëkëmbjes së shpejtë”, shkruan ai.