Fakti që ende po vonon një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për krijimin e qeverisë së re, zëvendeskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj e sheh si mungesë kapaciteti nga të dyja partitë.
“Tani mund të llogarisim se sa muaj kemi humbur në Kosovë, me një kryeministër që dha dorëheqje, me zgjedhje të parakohshme. Po të ishte debati se si ndodh në Gjermani, ku CDU nuk pajtohet për politika fiskale. Dhe unë do isha dakord që Kosova nuk është në krizë me politikën. Kurti ka thënë se LDK do të merret me pazare. Është bazuar biseda tek pazaret dhe jo tek parimet. Është e padrejtë që të jem këtu në Tiranë dhe të kritikoj kolegët e mi në Prishtinë. E kam më shumë frikën se çfarë do të thotë një partneritet mes partive nëse nuk janë në gjendje të gjejnë mirëkuptim për presidentin e vendit. Në 2021 duhet të merren vesh, që nënkupton se presidenti duhet të jetë i pranishëm dhe për opozitën. Në këtë drejtim e shoh vendin në krizë politike dhe paralizë politike. Një lloj paaftësie se si do të ballafaqohen me tema që janë të rënda. Unë kam qenë në qeveri kur kemi nisur dialogun me Serbinë në 2012-ën. Janë tema që partnerët e koalicionit, ku ka tensione, përplasje dhe hatërmbetje, pasi janë tema që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit. E shoh mungese kapaciteti mes dy partive politike që të kalojnë dilemën se si duhet të zgjidhet presidenti. Mungesë e besimit të ndërsjelltë.”, tha Hoxhaj.