Juristi Jordan Daci thotë se çështja e mandatit të Olta Xhaçkës mund të zgjidhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga Komisioni i Venecias, të cilit i është drejtuar PS. Në emisionin “Real Story” ku po diskutohet për këtë çështje, ai tha se gjykata mund ta zgjidhë këtë si një konflikt kushtetuese.
Ndërkohë, avokati Sokol Hazizaj tha se dërgimi i çështjes në ‘Venecia’ është një vendimmarrje politike por shtoi se ky komision nuk ka fuqi për ta detyruar Kuvendin të vendosë për këtë.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Sokol Hazizaj: Në rastin konkret, drejtimi drejt Komisionit të Venecias është vendimmarrje politike. Do të thoni se Komisioni i Venecias nuk është instrument politik, por cila është fuqia e Komisionit të Venecias për të detyruar pastaj kuvendin që të vendosë për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Jordan Daci: Parimi bazë i një kushtetute është funksionaliteti. Çdo lloj mënyre të të kuptuarit të rregullave nëse do të na çonte në një bllokim, nuk është i pranueshëm. Ne jemi para momentit ku paragrafi i 4 i një neni kushtetues nuk zbatohet. Atëherë kush mund të ishte një dalje nga ngërçi, interpretimi i atij neni është ekskluzivitet i Gjykatës Kushtetuese, por kur GJK nuk vihet në lëvizje, mendoj se kur kemi një konflikt kushtetueses midis pakicës dhe shumicës, çështja mund të trajtohet dhe të zgjidhet në kuadrin e një konflikti kushtetues që do të thotë se përderisa komisioni i mandateve miratoi raportet, automatikisht mundet që kjo 1/10 që është, mund ta bëjë objekt kushtetues dhe tashmë GJK ka një raport. Më përpara nuk kishte raport, as vetë kërkesa e 1/10 nuk ishte. Prandaj GJK nuk u mor me zgjidhjen në thelb. Është e padiskutueshme që këtë vetëm GJK jonë e zgjidh. Asnjë komision i Venecias nuk e zgjidh.
Mund të ishte një zgjidhje nëpërmjet një interpretimi dhe çdo lloj interpretimi që bën GJK i zgjeruar pa krijuar normë të re. Dhe në pajtim me parimin e ndarjes së pushteteve, me të vërtetë politikë por janë të ndara. GJK është i vetmi organ, vendimet e saj janë të detyrueshme. E zëmë që është gabim, dhe thelbi është që kjo 1/10 ta paraqesë çështjen përsëri në GJK, duke mos u kursyer në formulime, mundet që edhe GJK t’i japë drejtim sepse miraton dhe nuk thotë vendos. Çështja se s’bën duhet t’i kalojë, por kur s’i kalon është konflikt kushtetues. Nëse GJk e zgjidh në kuadër të një konflikti kushtetues mund t’i japë zgjidhje.
Toni Gogu: Po ti dëgjosh të dy avokatët, bashkohen në një gjë që është çështje politike dhe akuza është politike. Nga njëra anë kemi një forcë politike që hajninë e ka bërë heroizëm. Tani vijmë te kauza që po diskutojmë, absolutisht që është Gjykata Kushtetuese që çmon papajtueshmërinë, paqartësia qëndron paragrafi i 4, ku tregon mënyrën dhe organet se si funksionon gjëja thotë se kuvendi vendos për dërgimin e çështjes por nuk thotë kuvendi vendos pro dërgimit, që domethënë kompetenca për të vendosur është e kuvendit. GJK në vendimin e vet e ka interpretuar gjerësisht dhe thotë se kuvendi në këtë rast vendos vetëm pro. Tani GJK kur pushteti për të votuar dhe vendosur mbi ligjbërjen është e kuvendit, dhe nuk mundet t’i kufizosh votën deputetit se fillon me dërgimin e cështjes në GJK dhe mbaron te ligji që po diskutojmë./abcnews.al