Xhaxhai shpërthen në lot: Nuk do t’i harroj kurrë klithmat e Klementit

AKTUALITET


Xhaxhai i Klement Çupit rrëfen me lot në sy 16 orët e tmerrit që nipi i tij kaloi nën rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë. Mes lotësh, xhaxhai rrëfen tragjedinë e familjes së tij, pasi ai humbi nën rrënoja, vëllain, kunatën dhe nipin.

“Në 4, 4:10 të mëngjesit, mora në telefon vëllain Hamzain, më tha nuk kemi gjë në Tiranë. Kur i bija telefonit në Thumanë, vëllait Hajredinit, nuk e hapte telefonin asnjë. Atëherë u nisa direkt, njëkohësisht i thashë edhe vëllait Hamzait, që diçka në Thumanë ka ndodhur. Ai e konfirmoi se pallati i vëllait është shembur totalisht.

Nisemi poshtë, rreth orës 06:30 mbërrijmë në Thumanë, çfarë të shihni atje, ishte një skëterrë e vërtetë. Tentuam t’i shihnim të gjithë, nuk na la policia, duke përjashtuar vetëm Aleksin, që e gjetëm të gjallë dhe që e nxorën shpejt nga gërmadhat. Kur shkuam në anën tjetër të pallatit pamë djalin tjetër, Klementin, që bërtiste “ndihmë, ndihmë”, por që nuk arritëm dot ta shpëtonim. Bëmë të pamundurën, edhe ekipet nga Kosova, ato greket bënë çmos, por ishte e pamundur. Vetëm pjesën e Klementit nuk do ta harroj kurrë, ai bërtiste “xhaxhi më shpëto”.

Do bëj të pamundurën i thashë, do të të shpëtojmë. Përpjekjet ishin deri në orët e vona të darkës, madje kërkoi edhe cigare. Qendrat shëndetësore bënë të pamundurën, i bënë gjilpëra e serume. Gjatë darkës kërkoi edhe batanije, se kishte ftohtë. Një doktor grek na tha të mos mërzitemi, se do ta nxirrni shumë shpejt të gjallë. U bë e pamundur, nuk arritëm dot, fjala e fundit që tha “vdiqa”, kaq ishte amaneti i fundit”, rrëfen xhaxhai për News24.

Klement Çupi kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Anglia në Thumanë për të festuar për fejesën e vëllait, Aleksit dhe fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e tërmetit shkatërrues.



Skip to toolbar