Xhunga: Shkëlqimi dhe rënia e opozitës parlamentare

KOSOVA


Nga Albi Xhunga

Pas braktisjes së  Parlamentit nga opozita me qëllimin e qartë të zhytjes së sistemit në  kolaps, sytë e shumëkujt, përfshirë dhe faktorin ndërkombëtar, u kthyen nga ata që ishin më poshtë në listë e që sot quhen opozita parlamentare. Futja e tyre në Kuvend ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit, por edhe në dhënien e një mësimi të vlefshëm opozitës reale, se në këtë vend nuk mund të ketë shi apo diell vetëm kur të dojë Basha, Kryemadhi, Meta apo Berisha.

Me opozitën parlamentare ndodhi diçka e ngjashme si me një ndeshje futbolli në Ligën e Kampioneve para disa vjetësh, kur në një përballje me Romën, Ajaksi u detyrua të nxjerrë në fushë portjerin e katërt. Një kombinim i pabesueshëm rastësish (portjeri i parë i skualifikuar për kartona, i dyti i dëmtuar, i treti me grip) bëri që në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për holandezët të luante si titullar portjeri i katërt.

Ky i fundit pati fatin të jetë nën dritën e prozhektorëve dhe në fokusin e kamerave të ekraneve më të rëndësishëm sportivë të Europës. Portjeri i ri në moshë e në karrierë dha një performancë të mirë dhe një nga klubet e ligës së parë angleze i bëri një kontratë. Nga harresa e të qënit i katërti në një ekip, portjeri i ri e vazhdoi karrierën në një nga kampionatet më të mirë të Europës.

Ngjashmëria e këtij rasti me deputetët e rinj qëndron në faktin se pas një rastësie fatlume për ta, ata u gjendën aty ku as nuk e kishin ëndërruar, në krye të skenës si aktorë të dorës së parë, duke pasur të gjithë vëmendjen që një politikan mund të ëndërrojë. Tani iu duhej vetëm të shfrytëzonin rastin. Duke pasur veshët dhe sytë e publikut iu duhej të fitonin zemrën e tij. Miëpo siç ka thënë njëherë Genc Ruli në një nga debatet e tij politike; ‘’Skena nuk është për spurdhjakë anonimë’’.

Vërtetuan se janë në shërbim të maxhorancës

Në diskutimet për mundësinë e hapjes së listave, pozicioni i tyre ka qenë korrekt. Ata mbështesnin listat e hapura dhe votën e diasporës, çka duket të jetë edhe kërkesa e shumicës së shqiptarëve sot. Mirëpo dje, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Ligjeve, maskat ranë. Opozita parlamentare miratoi një make-up të sistemit, i cili iu lë kryetarëve të partive të gjithë pushtetin që kanë mbi listat dhe emërimin e deputetëve. Këu del zbuluar edhe kryeministri, i cili gjoja me hapje të listave, do thjesht të sabotojë koalicionet parazgjedhore dhe t’i lërë vetes mundësinë e fitores së zgjedhjeve i vetëm.

Kryeministri edhe mund të tërhiqet si pasojë e presionit ndërkombëtar, por opozita parlamentare e shprehu qartë pozicionin e saj dhe asnjë tërheqje eventuale nuk ia heq dot baltën e përfshirjes në politikën e maxhorancës.

Lista të hapura me dy të tretat është baraz me lista të mbyllura

Kjo hapje e listave e miratuar në Komisionin e Ligjeve është as më pak e as më shumë se një maskaradë që nuk ndryshon pothuaj asgjë në fenomenin e emërimit të deputetëve. Hapja e listave me dy të tretat është thjesht një make-up. Kjo hapje, që në dukje iu jep kryetarëve vetëm një të tretën e listës, iu lë realisht atyre emërimin e shumicës së deputetëve. Shembull; nëse lista e qarkut të Tiranës ka 32 deputetë, një e treta e saj që i mbetet kryetarit (gjoja për të ruajtur kuotat gjinore) është minimumi 10 deputetë. Pra nëse PS fiton 16 deputetë në këtë qark, të paktën 10 prej tyre do të vijnë nga pjesa e mbyllur e listës, të cilën e emëron kryetari. Teorikisht kryetari ka një të tretën e listës, por praktikisht ka dy të tretat e saj.

Të gjithë në llum

Fatkeqësisht maskarada në procesin zgjedhor vazhdon. Vota e shqiptarëve do të vazhdojë të shpërfillet. E vetmja pikë ku maxhoranca dhe opozita reale bien dakort është emërimi i deputetëve dhe mbajtja peng e sistemit. Të gjitha politikat e tyre shkojnë në drejtim të kalkulimeve zgjedhore dhe jo në një hapje të sistemit.

E vetmja e re në këto zhvillime është zhytja në llum edhe e opozitës parlamentare.



Skip to toolbar