Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar për mediat belge se nëse vendet e Bashkimit Europian nuk do të marrin vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, atëherë ai do të detyrohej që të ofrojë dorëheqje që do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zaev ka thënë në një intervistë me titull “Një dritë jeshile, ose dorëheqje”, për të përditshmen “Le Soir” se nëse edhe këtij viti BE nuk do të marrë vendim për hapje të bisedimeve, atëherë do të përballet me disa zhvillime të reja Maqedonia e Veriut. “Rreziku kryesor është vendor; shumica parlamentare e cila e ka përkrahur këtë qeveri përparimtare do të humbej. Nëse nuk e marrim vendimin e premtuar nga BE-ja opozita do të hidhërohej dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. E madje edhe shumica. Kjo do të vendoste qeverinë në rrezik, do të më bënte mua që të dorëzoja mandatin në parlament dhe sipas të gjitha gjasave to të shkonim drejt zgjedhjeve”, deklaroi Zaev, duke paralajmëruar se kjo do të rrezikonte edhe kthimin në nacionalizëm dhe radikalizëm të Maqedonisë së Veriut. “Kemi përjetuar këtë rrezik gjatë 11 viteve të fundit. E kemi pasur një regjim ‘hibrid ‘ në vendin tonë, i cili i ka shkatërruar krejt të drejtat dhe liritë demokratike, të gjitha bazat e një vendi normal. Rreziku është që të kthehemi në këtë epokë”, shprehet Zaev.
Ai shpjegon se negociatat lidhen ngushtë me premtimet e tij për qytarët maqedonas. “Unë kam thënë se nëse e ndërrojmë emrin, nëse ne do të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë, me Bullgarinë, kam thënë se me të gjitha reformat Europa do të respektonte premtimet e saj. Nëse kjo nuk ndodh, është normale që të marrë përgjegjësitë. Unë nuk do pres që opozita ose parlamenti të bëjnë diçka: do të marrë përgjegjësitë e mia dhe do ta dorëzoja mandatin”, deklaron kryeminsitri Zoran Zaev.
Franca është vendi, i cili është kundër hapjes së bisedimeve këtë vit. Ndërkohë, edhe parlamenti gjerman, ende nuk i ka dhënë dritën jeshile qeverisë Merkel për të votuar në favor të hapjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në takimin e 18 qershorit të ministrave të jashtëm e më pastaj takimit të shefave të qeverive dhe kryetarëve të vendeve anëtare në fund të qershorit.