Nga Eduard Zaloshnja
Fushata aktuale kundër krimit të organizuar është e njohur gjerësisht me dy akronime: OFL dhe anti-KÇK. Duke i përmbledhur këto dy akronime, përfshiva rreth tyre një pyetje në sondazhin periodik që zhvilloj për revistën e botuar në anglisht në Tiranë, Follow Business Albania – konkretisht, “A mendoni se fushata aktuale OFL/anti-KÇK do të jetë rezultative në goditjen e krimit të organizuar?” Dhe ja si u përgjigjën ata të anketuar që kanë gjasa të marrin pjesë në zgjedhjet e rradhës: 2/3 mendojnë se fushata do të jetë rezultative ose ka gjasa të jetë e tillë, ndërsa 1/3 mendojnë të kundërtën.
Sipas sondazhit, në qoftë se zgjedhjet parlamentare zhvillohen sot, do të jenë rreth 220 mijë pjeësmarrës më pak në zgjedhje, krahasuar me ato të qershorit 2017. Sidoqoftë, PS-ja ruan pak a shumë të njëjtin numër votash si në 2017, dhe PD-ja ka një rritje të vogël të numrit të votave (krahasuar me 2017-ën), Nderkohë, të gjitha partitë e tjera pësojnë një tkurrje dramatike. Kjo gjë bën qe PS-ja të kapë 55% të votave të vetëm atyre zgjedhësve që janë gati të votojnë sot.