Zaloshnja: Deri më sot, më afër Kinës se sa Italisë

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Pas konfirmimit të rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri, paraqita në emisionin Real Story të Sokol Ballës tre skenarë të ecurisë së epidemisë në vendin tonë, për katër javët e para. Tre skenarët hipotetikë bazoheshin në përqindjet e të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi aktual në Itali, Kinë dhe Korenë e Jugut, tre vende që kishin deri atëherë të dhëna për të paktën katër javë të epidemisë.

Duke faktorizuar përqindjet e mësipërme dhe popullsinë aktuale të Shqipërisë, llogarita se sa të sëmurë e të vdekur mund të kishim gjithsej brenda katër javësh, sipas secilit nga skenarët e mësipërm. Dhe dhashë opinionin tim në Real Story se, ngaqë protokolli i testimit për COVID-19 tek ne ishte i njëjtë me atë Kinës dhe Italisë (ai i rekomanduar nga OBSH), shifrat tona në fund të 4 javëvë mund të ishin diku mes Italisë (me të cilën kemi ngjashmëri kulturore) dhe Kinës (me të cilën kemi ngjashmëri në vendosjen e hershme të masave shtrënguese ndaj epidemisë).

Dhe sot, vlen të krahasohet ecuria e epidemisë në 17 ditët e para në vendin tonë, përkundër Italisë dhe Kinës. Meqë diferencat e popullsisë janë me miliona e qindra miliona mes tre vendeve, krahasimi duhet bërë për milion banorë.

Nga grafiku shoqërues, duket qartë se, deri ditën e 17-të të epidemisë, kruba e incidencës zyrtare të COVID-19 (të konfirmuar për 1 milionë banorë) ka ndjekur pothuaj të njëjtën trajektore në Kinë e Shqipëri (është fare pak më e lartë tek ne). Ndërsa në Itali, rastet e konfirmuara për 1 milionë banorë morën të përpjetën qysh ditën e 13-të, pavarsisht se protokollet e testimit të popullsisë mbetën të njëjta n katër javët e para.

Në qoftë se në vazhdim, ndjekim ekzaktësisht kurbën e Kinës, do të kemi 175 raste të konfirmuara në fund të javës së katërt. Por fakti që aktualisht jemi pak më lart se kurba e Kinës, na sinjalizon se në fund të katër javëve, mund të kemi diçka më shumë se 175 raste të konfirmuara.

SHËNIM I RËNDËSISHËM: Kurba e incidencës së Kinës është ndërtuar me rastet jashtë qytetit të Wuhanit, i cili përbën një rast krejt më vete, i ngjashëm me Çernobilin



Skip to toolbar