Zaloshnja: Kurba dhe kuota më e rëndësishme për sistemin shëndetsor

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Ashtu si pas tërmetit të 26 nëntorit, kur edhe fëmijët ndiqnin rregullisht aplikacionet e raportimit të lëkundjeve të herëpashershme të tokës, tani shumëkush ndjek përditë kurbën e rasteve të regjistruara deri më sot me COVID-19. Madje, disa kanë instaluar në celularët e tyre aplikacione për përditësimin automatik të kurbave logaritmike të vendeve të ndryshme, për t’i krahasuar me atë të Shqipërisë.

Ndërkohë, për punonjësit e sistemit shëndetsor shqiptar (si dhe të çdo sitemi shëndetësor në botë) kurba më e rëndësishme është ajo e hospitalizimit të pacientëve me COVID-19. Një kurbë me rritje të shpejtë e hospitalizimit është sinjali më domethënës i përhapjes së epidemisë deri në pikën ku nuk ka më shtretër në spitale për të sëmurët që do të kenë nevojë për hospitalizim (të infektuarit me simptoma të lehta apo pa simptoma nuk përbëjnë shqetësim imediat për sistemin shëndetsor, sepse shumica e tyre e kalojnë infeksionin në shtëpi, pa u kapur nga skemat e testimit pothuaj kudo në botë).

Ndërkaq, kuota më kritike për sistemin shëndetsor është ajo e pacientëve që kanë nevojë jetike për respirator. Sepse shtretër të rinj mund të shtohen relativisht shpejt në një godinë të adoptuar përkohësisht si spital, por respiratorët janë aparatura që nuk gjehen kollaj në kushtet e pandemisë botërore. Deri më sot, ne kemi patur maksimumi 11 respiratorë në punë, ndërkohë që kapacitetin e respiratorëve (publikë e privatë) e kemi disafish më i lartë.

Pas një rritje të shpejtë fillestare të kurbës së hospitalizimit në Shqipëri, në javën e fundit kurba është stabilizuar, ngaqë shtrimet e reja janë balancuar me daljet e pacientëve të shëruar (shihni grafikun shoqërues). Kur kurba e hospitalizimit të fillojë rënien graduale (pra, kur rastet e reja të shtrimit në spital të jenë më pak se daljet prej tij), sistemi ynë shëndetësor do të marrë frymë i lehtësuar. Por edhe publiku i gjerë do të lehtësohemi psikologjikisht, sepse ajo do të jetë shenja që fundi i karantinimit po afron



Skip to toolbar