Shqiptarët janë të ndarë në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që duke mos marrë vendim, rrëzoi padinë e kryeministrit për të hequr pezullimin e zv.kryeministres Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Në sondazhin Zëri i Shqiptarëve në Abc News, rezulton për 48.1% barazimi i gjyqtarëve kushtetues ishte vendim i drejtë, duke sjellë lënien në fuqi të pezullimit, kurse pjesa më e madhe, 51.5.% thonë se ishte e padrejtë.
Analisti Eduart Zaloshnja tha se pjesëmarrja në sondazh ishte e lartë dhe se shumica e elektoratit mendon se Berisha ka ndikim me sulmet e tij në sistemin gjyqësor. Zaloshnja shtoi më tej se zhvillimet e fundit në sferën e drejtësisë nuk kanë sjellë reflektim në vota, ku dukshëm PD ka pasur rënie në vota dhe se SPAK nuk solli tërmetin elektoral që pritej në zgjedhjet e fundit.
“Pjesëmarrja në sondazh ishte e lartë sepse është një çështje që ka muaj që zien. Te pjesa e atyre që thonë se vendimi i Kushtetueses ishte i drejtë, janë njerëz që kanë votuar për parti opozitare ose janë kundër kryeministrit. Është interesante se 33 për qind mendojnë se ka pasur shantazh ndaj një anëtari të GJK-së, sepse këta njerëz që kanë plotësuar sondazhin nuk i kanë ndjekur lajmet. Këta njerëz që kemi pyetur janë njerëz të zakonshëm që kanë kuptuar se diçka ka ndryshuar dhe mendojnë se mund të ketë pasur ndonjë shantazh.
Shumica e elektoratit shqiptar mendon se Berisha ka ndikim me sulmet e tij ndaj sistemit gjyqësor dhe, kur vjen puna për ashpërsinë ndaj mazhorancës krahasuar me ashpërsinë ndaj opozitës, shumica mendon se sistemi i ri gjyqësor është treguar më i ashpër me mazhorancën sesa me opozitën.
Pikëpamja e ndikimit për vota në parti tregon se drejtësia do të bëjë punën e saj, por në vota i kemi për partitë tona. Berisha flet çdo ditë, por votat e partisë së tij nuk po rriten, përkundrazi po bien. Nëse para zgjedhjeve të fundit mendohej se SPAK mund të sillte një tërmet elektoral, në zgjedhje kjo nuk u provua.”
