Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Tiranë, ku një konflikt mes dy shtetasve degjeneroi në përdorim arme zjarri.
Sipas burimeve, shkak i sherrit ka qenë një borxh prej 100 eurosh që 38-vjeçari i detyrohej shtetasit Agim Visha. Ky i fundit ka deklaruar se e ka hasur rastësisht në ambientet e një lokali dhe i ka kërkuar kthimin e shumës.
Fillimisht, konflikti ka nisur me fyerje dhe debate verbale, por situata është përshkallëzuar kur 38-vjeçari e ka goditur me shpullë Vishën. Pas këtij momenti, Visha ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka kërcënuar atë.
Më pas, sipas policisë, 50-vjeçari dyshohet se ka tentuar ta qëllojë me armë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e uniformave blu bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe arrestimin e autorit.
Burimet bëjnë me dije se Agim Visha është një person me precedent penal, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave.
