Zbardhet shpërthimi me tritol në Tiranë: 7 të arrestuar, porosia u dha nga burgu

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pesë ditë më parë në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në makinën e një qytetari.

Operacioni i koduar “Porosia” ka çuar në pranga 7 persona, ndërsa një tjetër që ndodhet në burg është identifikuar si porositësi i këtij sulmi.

Nga hetimet doli se i burgosuri S. N. kishte urdhëruar vendosjen e eksplozivit në mjetin e shtetasit O. K., ndërsa autori kryesor që vendosi lëndën plasëse është 32-vjeçari J. G.Ky i fundit u ndihmua nga disa shokë të tij, të cilët i treguan vendndodhjen e makinës, i dhanë biçikletën me të cilën lëvizi natën e ngjarjes dhe e strehuan pas shpërthimit.

Tre persona të tjerë u arrestuan pasi ndihmuan autorin të largohej me makinë menjëherë pas krimit. Gjatë aksionit, policia sekuestroi si prova veshjet që autori mbante veshur atë natë, biçikletën, makinat e përdorura nga grupi dhe telefonat e tyre celularë.

Të gjithë të arrestuarit, të cilët njihen si persona me precedentë penalë, tashmë do të përballen me drejtësinë për shkatërrim prone dhe përkrahje të autorit të krimit.



Skip to toolbar