Policia e Tiranës zbardh vrasjen e biznesmenit Behar Sofia, në mes të Tiranës. Uniformat blu njoftojnë se kanë arrestuar një grup vrasësish me pagesë, të cilët kanë planifikuar dhe në bashkëpunim kanë kryer vrasjen e shtetasit Sofisë.
Njoftimi:
Finalizohet me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”.
Zbardhet vrasja e 66-vjeçarit, e ndodhur më 25 shkurt 2021.
Arrestohet një grup vrasësish me pagesë, të cilët kanë planifikuar dhe në bashkëpunim kanë kryer vrasjen e shtetasit Behar Sofia.
Vihen në pranga 4 shtetas të përfshirë në këtë vrasje kriminale.
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Instituti i Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është finalizuar me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”. Si rezultat është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor me prova shkencore i ngjarjes së ndodhur në datë 25.02.2021, rreth orës 08:45, në bulevardin “Bajram Curri”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Behar Sofia.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve të shpejta hetimore procedurale si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:
· Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
· Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë.
· Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë.
· Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë organizuar vrasjen e shtetasit Behar Sofia duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.
Shtetasi Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon publikisht Policinë e Malit të Zi, për ndihmën e mënjehershme të ofruar për lokalizimin dhe kapjen e ekzekutorit Ernejt Shyti. Pas takimit operacional të organizuar në vendin e kalimit Hani i Hotit, të dy policitë kanë shkëmbyer informacion në kohë reale duke u finalizuar me kapjen dhe deportimin e tij.
Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj.
Analiza e këtyre provave hap prespektivë për identifikimin edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon me intensitet puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësjaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 e Komisariatin Dixital, çdo rast të paligjshmërisë duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.