Një 16-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Kamzë, si autor i disa vjedhjeve. Në njoftimin e policisë thuhet se adoleshenti në bashkëpunim me dy të mitur janë autorë të dyshuar të disa ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Kamzës dhe në Tiranë, në vende dhe kohë të ndryshme.
Konkretisht,policia ka zbardhur 9 raste të vjedhjeve të ndodhura më parë, të kryera nga 16- vjeçari A.Xh, në bashkëpunim me dy të mitur që ndiqen në gjendje të lirë.
Adoleshenti, i ndihmuar edhe nga dy të mitur 13 e 15 vjeç, kishte vjedhur automjetin tip Benz në pronësi të shtetasit K. O., brenda të cilit kishte një shumë parash, euro dhe paund. Në momentin e bllokimit, policia gjeti dhe sekuestroi 165 paundë, 360 euro, 30800 lekë dhe një celular. “Shtetasit e lartpërmendur janë dhe autorë të dyshuar të disa ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Kamzës dhe në Tiranë, në vende dhe kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri – tjetrin”, deklaroi policia.
Vjedhjet e kryera nga 16-vjeçari
Më 04.12.2018 kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit A. S.
Më 26.01.2019 kanë vjedhur sende personale në banesën e shtetases F. XH.
Më datë 06.02.2019 kanë vjedhur sende shtëpiake në banesën e shtetases F. Xh.
Më 11.04.2019 i kanë vjedhur 180 euro, orendi shtëpiake dhe sende personale me vlerë shtetasit E. M.
Më 20.09.2019 i kanë vjedhur portofolin me shumën prej 20 mijë lekësh të reja shtetases L. P.
Më datë 05.10.2019 kanë vjedhur 2 automjete në pronësi të shtetasit T. A.
Më 13.11.2019 kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit A. M.
Më 13.11.2019 në banesën e shtetasit L. H kanë vjedhur shumën prej 18 mijë lekësh dhe 750 euro.
Më 10.12.2019 kanë vjedhur 80 mijë lekë të reja në banesën e shtetasit Sh. Gj.