Zbulohet laboratori i dokumenteve false

AKTUALITET


Një laborator për falsifikimin e dokumenteve italiane dhe greke, që përdoreshin nga emigrantët shqiptarë për të shkuar në vende të BE, SHBA e Angli, qoftë ata që e kishin të ndaluar të udhëtonin, qoftë edhe ata që shkonin për punë, është zbuluar nga policia e Tiranës, e cila ka arrestuar edhe tre personat që ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm.

Policia tha se aktiviteti kriminal i tre personave të arrestuar zhvillohej mes Tiranës dhe Durrësit, ku në kryeqytet bënin pazaret, ndërsa laboratori i falsifikimit ishte vendosur në qytetin e Durrësit.

Për zbulimin e këtij aktiviteti, policia tha se është dashur një punë 6 mujore e antikrimit ekonomik, ku në përfundim u finalizua me operacionin e koduar “Laboratori”. Grupi hetimor ka pasur vështirësi në dokumentimin e  rastit, pasi të tre personat e arrestuar, kanë qenë të dënuar më herët për falsifikim dokumentesh dhe dinin mirë të ruheshin nga agjentët e infiltruar. Por pas punës intensive, të premten ka vënë në pranga Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve; V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh dhe P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, edhe ky i dënuar më parë.

“Këta shtetas, në një ambient në Durrës, të cilin e përdorin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë, pasi gjenin klientë, kryenin falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit”, tha policia. Po ashtu, grupi hetimor vuri në dukje se këto dokumente prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet Schengen dhe për persona të ndryshëm, të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e Bashkimit Europian, për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo transit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian.

Në laboratorin e zbuluar, policia gjeti të gjitha mjetet që përdoreshin nga tre të arrestuarit, që nga kompjuterët, stampat, vulat e vendeve të huaja, madje edhe pajisje me llamba speciale me rreze ultraviolet.

Sekuestrimet

7 stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara

një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë

hekur special për plastifikim, 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale

12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme

1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara

dëftesa shkollore, dokumente institucionesh, fotografi, vulë e thatë e një zyre noteriale dhe 1 250 euro



Skip to toolbar